Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Shtetit për Integrimin Europian, zonja Ermelinda Meksi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Romë gjatë së cilës është takuar me zv/presidentin këshillit të ministrave Gianfranco Fini, Ministrin e Infrastrukturës Vice Conti dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane.

Në këto takime u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe mbi mbështetjen e Italisë, gjatë presidencës së saj të Bashkimit Europian. Zv/kryeministrja Meksi ka shprehur vlerësim dhe mirënjohje të Italisë, për mbështetjen e deritanishme në procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Mbështetje kjo e konkretizuar me organizimin e një sërë takimesh të rëndësishme, si ai i Trojkës së BE me Shqipërinë në Korrik të këtij viti.

Nga ana e tij, zv/presidentin italian i këshillit të ministrave Fini, ka konfirmuar vullnetin politik të qeverisë italiane, që gjatë periudhës në vazhdim, Shqipëria dhe Ballkani perëndimor, të vazhdojnë të jenë prioritet kryesor i BE.

Në takimin e zhvilluar me Ministrin e Infrastrukturës Vice Conti është diskutuar mbi projektin e Korridorit të 8, si një projekt i rëndësishëm për integrimin evropian të Shqipërisë. Zoti Vice Conti e siguroi zonjën Meksi, se pala italiane e shikon Korridorin e 8, si një korridor zhvillimi ekonomik e social për të dy vendet dhe si një urë lidhëse për Italinë drejt Ballkanit dhe për Ballkanin drejt BE. Pavarësisht zërave të pasqyruar në mediat e dy vendeve, Korridori 8 është ende në listën prioritare të BE, është shprehur zoti Vice Conti.

Ermelinda Meksi:- “Na u konfirmua dhe njëherë vendosmëria e madhe politike e Italisë, për të realizuar këtë korridor, si një nga prioritet e politikës italiane, siç është realisht edhe për Shqipërinë, për faktin sepse nga ky korridor është një korridor për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit të Ballkanit dhe BE”./tvklan.al