Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, deklaroi këtë të martë se në ditët në vijim pritet që të qartësohet roli i Redjan Rrajës, personit të ndaluar në lidhje me atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, Hodaj tha se rezultatet që ka prodhuar deri më tani hetimi ndaj këtij rasti është premtues. Hodaj sqaroi se Rraja është ndaluar me urdhër prokurori, çka tregon se ka prova mjaftueshëm që kanë çuar deri në ndalimin e tij.

Julian Hodaj: Ajo që policia ka deklaruar pak a shumë që është një personat e përfshirë. Roli mbetet akoma për t’u qartësuar dhe do të qartësohet besoj në ditët në vijim. Ka një grup prokurorësh që udhëheqin hetimin. Pas 3 ditësh doja të thoja që rezultatet janë deri diku premtuese duke pasur parasysh ecurinë e hetimeve në raste të ngjashme kalon edhe më shumë kohë para se të ketë një rezultat konkret. Ajo që thotë policia thotë që në rastin konkret kemi një nga autorët e përfshirë.

Blendi Fevziu: Policia është e bindur që ky është një nga autorët?

Julian Hodaj: Policia është e bindur se përndryshe nuk do e kishte bërë ndalimin.

Blendi Feziu: Mbi bazën e provave shkencore?

Julian Hodaj: Mbi bazën e provave shkencore. Të sqarojmë diçka se thatë që bëhet fjalë për arrestim. Nuk bëhet fjalë për arrestim, bëhet fjalë për një ndalim me urdhër prokurori dhe do të vlerësohet më pas në gjykatë dhe eventualisht do të kërkohet një masë sigurie. Fakti që prokurori lëshon një urdhër ndalimi pra nuk është me iniciativë do të thotë që ka prova shkencore mjaftueshëm dhe bindëse që është i përfshirë. Provë shkencore është gjithçka që provohet shkencërisht. Mund të jetë një dokument, një foto, një filmim, një gjurmë gishti, ADN-ja. Brenda 48 orësh prokurori paraqet kërkesën për vlerësimin e masës, gjykata ka 48 orë në dispozicion për të vlerësuar masë e sigurisë./tvklan.al