Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri është kandiduar zyrtarisht për eurodeputet në garën për zgjedhjet evropiane të 9 Qershorit në Greqi nga partia e djathtë në pushtet “Demokracia e Re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Emri i Fredi Belerit u shpall ndër të fundit në listën prej 42 kandidatëve të kësaj partie në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale.
Krahas emrit të Belerit, Mitsotakis ka befasuar edhe me kandidimin për eurodeputet të ish-peshëngritësit kampion olimpik Pyrros Dimas dhe gazetares së njohur Eleonora Meleti.
Me shpalljen e këtyre emrave Kyrjakos Mitsotakis shpreson që të përmirësojë rezultatin elektoral të partisë së tij në këto zgjedhje evropiane pas sondazheve që e nxjerrin atë në rënie. Përzgjedhja e Belerit vlerësohet se i shërben më tej synimit të Demokracisë së Re për të forcuar ndikimin e saj në krahun e djathtë të skenës politike greke.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit i akuzuar për blerjen e votave dhe që prej asaj kohe mbahet në paraburgim. Ai nuk ka mundur ta marrë dot detyrën si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, pasi autoritetet gjyqësore shqiptare nuk i kanë mundësuar atij dhënien e lejes së posaçme për të kryer betimin para Këshillit Bashkiak. Beleri së bashku me bashkëpunëtorin e fushatës elektorale Pandeli Kokaveshi është dënuar nga Shkalla e Parë e GJKKO me dy vite burg ndërsa pritet që Apeli të japë vendimin e tij përfundimtar.
Me ligjin shqiptar parashikohet se një vepër penale si ajo e blerjes së votave për të cilën akuzohet dhe mund të dënohet përfundimisht zoti Beleri, sjell ndërprerejen e mandatit të tij të dhënë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si dhe atij nuk do ti lejohet të kandidojë më në një proces të ardhshëm zgjedhor, edhe nëse ndërkohë do ta ketë mbaruar dënimin.
Arrestimi dhe mos lejimi i betimit të Fredi Belerit, si kryebashkiak i Himarës ka sjellë vendosjen e vetos nga Greqia e cila nuk ka lejuar BE-në që të nisë negociatat me Shqipërinë për shqyrtimin e kapitujve të parë të anëtaresimit.
Kryeministri Mitsotakis, Ministri i Jashtëm Jorgos Jerapetritis kanë akuzuar qeverinë shqiptare se nuk ka respektuar parimin e prezumimit të pafajsisë për zotin Beleri duke mos lejuar betimin e tij ndërsa e kanë konsideruar atë si çështje evropiane dhe jo dypalëshe. Greqia ka qenë nën presion këto muaj nga Gjermania dhe disa shtete anëtare për heqjen e vetos për rastin Beleri, por Athina zyrtare nuk ka reflektuar madje me vendimin e partisë Demokracia e Re marrëdhëniet me Shqipërinë kanë pësuar një krisje tjetër.
Klan News