Richard Nephew, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Anti-Korrupsionin Global ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, për të konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën ndaj korrupsionit. Njoftimi për vizitën e tij është dhënë nga Ambasada amerikane.
“Mirëpresim Richard Nephew, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Anti-Korrupsionin Global. Nepheë po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen.”
Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew vizitoi edhe ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, ku u takua me kreun e këtij institucioni Altin Dumani dhe prokurorë të SPAK.
“Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së.”
Sipas njoftimit të ambasadës amerikane Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew u takua e bisedoi edhe me përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.
Klan News