Prokuroria: Ideuan dhe ngritën laboratorin e drogës
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 147 vite burg për 17 të pandehurit që akuzohen për ngritjen e laboratorit të heroinës në Has e njohur si një nga fraksionet e dosjes 339.
Për shkak se të akuzuarit kanë pranuar gjykimin e shkurtuar, nëse gjenden fajtorë do të përfitojnë ulje të dënimit me një të tretën. Për Altin Avdylajn i arrestuar gjatë operacionit VOLVO-4, që njihet edhe si kreu i grupit të Avdylajve SPAK kërkoi dënimin me 6.8 vite burg.
I njëjtin dënim u kërkua edhe për Orges Jahoelezin. Gjithashtu, organi i akuzës kërkon që vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Gjevi Ndoka, të dënohet me 8 vite burg. Ndërsa Admir Hoxha i cilësuar si koka e grupit që drejtonte laboratorin e heroinës është ende në kërkim. Për këtë të fundit prokuroria ka kërkuar dënimin me 12 vite burg dhe sekuestrimin e pasurive.
Sipas Prokurorisë, ata janë përfshirë në role të caktuara në trafikim të drogës nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, si edhe për përgatitjen e heroinës në laboratorin e ndërtuar në fshatin Brenog të Hasit. Laboratori u zbulua në sajë të operacionit “VolVo 4”, në tetor 2018, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme heroine.
Tv Klan