Prokuroria: Cilësia e dobët e betonit shkak për rrëzimin e ndërtesave
Cilësia e dobët e betonit që u përdor në ndërtimin e pallatit 6 katësh që u shemb në Durrës nga tërmeti i 26 Nëntorit është shkaku kryesor i rrëzimit të ndërtesës. Po kështu betoni dhe hekuri që është përdorur në banesën e familjes Lala janë shkaku i vdekjes së 8 personave, sipas Prokurorisë. Në dosjen hetimore ku analizohen shkaqet e vdekjeve ditën e tërmetit të një viti më parë rezulton se shkak për shembjen e Hotel Vila Palma në rrugën e plazhit ishte shtesa pa leje dhe zona ku është ndërtuar me rrezikshmëri të lartë sizmike.
Në dosje analizohen edhe shkaqet e ndërtesave të tjera në Durrës, ku humbën jetën më shume se 50 persona dhe arrihet në rezultatin se janë 16 persona, që duhet të përgjigjen në gjykatë.
Mes tyre Ramiz Shehu, Abdulla Osmani dhe Ruzhdi Xheka, që akuzohen për vrasje nga pakujdesia, ndërsa 2 persona akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe 11 të tjerë për shpërdorim detyre.
“Në disa prej objekteve cilësia, rezistenca e betonit dhe hekurit rezultoi të ishte dobët dhe jo në përputhje me kushtet dhe kriteret e projektimit dhe zbatimit. Është konstatuar se themelet e ndërtesave kanë qenë të mbështetura në tabane me formacione gjeologjike mjaft të dobëta dhe me prezencë të lartë të ujërave nëntokësorë”.
Sipas akuzës tërmeti i 26 Nëntorit nuk ishte i përmasave të tilla që të pasohej me rrëzimin e godinave, pasi nuk ishte më shumë se 9 ballë. Nëse punimet do të kishin qenë sipas standardeve dhe nëse do të ishin respektuar të gjitha ligjet në fuqi, ndërtesat nuk do të ishin shembur, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Tv Klan