Kryeministri Edi Rama ishte në Himarë këtë të diel ku shpërndau titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara në zonat kadastrale. Kreu i qeverisë tha se ky zotim konsiderohet i përmbyllur tashmë, por bëri edhe një pretim tjetër.

“Ndërkohë që duke vazhduar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritur të shtëpisë, më lejoni që t’ju garantoj se ashtu siç bëmë realitet së bashku me kryetarin e bashkisë përmbylljen e këtij procesi ashtu do të bëjmë realitet edhe procesin e mbylljes së AMTP-ve”, tha Rama.

Ndërkohë nuk munguan as batutat me të pranishmit.

Qytetarja: Siç bëre për gjithë këto të bësh dhe për pronat që të mblidhen djemtë tanë këtu se ngelëm pa djem. Ç’e duam pasurinë kur nuk kemi djemtë?

Edi Rama: E shikon, po nuk mu ndave?

Qytetarja: Nuk të ndahem se të kemi nga Vunoi. Prandaj të them këtë zoti kryeministër të na bësh dhe për pronat secili në tokat e tij. Dua të të jap porosi.

Edi Rama: Me radhë. Sa fëmijë ke bërë?

Qytetarja: Unë kam bërë tre, por nuk kam asnjë në shtëpi.

Edi Rama: Po menjëherë i ke bërë të tre? Me radhë.

Qytetarja: Më ikën djemtë, jam vetëm me këto këmbë që më shikon.

Edi Rama: Djemtë do vijnë kur t’u mbushet mendja. Nuk mu nda, ç’më ka bërë. Do t’i bëjmë të tëra. Urdhëro, ja ku e ke.

Rama u shpreh se ka një sërë projektesh të reja që prekin jo vetëm qytetin e Himarës. Qëllimi, sipas kryeministrit, është që t’i jepet vlerë çdo metri katror të bashkisë.

“Sot nuk është më qeveria që shtyn bashkinë që të bëjë projekte, por edhe bashkia që na rri në kokë për të na kërkuar të mbështesim projekte. Së shpejti do të shikoni projekte të reja që do të nisin në mënyrë që t’i japim vlerë çdo metër katrorë të bashkisë Himarë, t’i japim vlerë çdo shtëpie, apartamenti”, u shpreh Rama.

Disa nga projektet që Rama renditi janë një parkim i madh nëntokësor te fusha e sportit dhe një ndërhyrje në qendrën e Himarës.

“Kemi në plan të bëjmë një ndërhyrje në qendrën e Himarës, aty ku është një çudi e madhe dhe fare mirë mund të bëhet një qendër vërtetë shumë e bukur, për ta çliruar edhe më shumë energjinë që mund të çlirojë qyteti, por mbi të gjitha për të bërë që edhe brenda qyteti të jetë i vizitueshëm, të ketë qarkullim njerëzisht, të ketë më shumë ekonomi në kohën e sezonit, ndërkohë që sot është shumë e vështirë sepse vetëm trafik ka dhe bllokime sepse qendra është jashtë çdo lloj pamje për një qytet që tërheq kaq shumë turistë”, tha Rama./tvklan.al