Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro dhe 4 persona të tjerë lidhur me dy raste të tjetërsimi pronash në jug të vendit. Ndaj Goros rëndojnë veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe fshehjes së pasurisë.
Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku së bashku me Jerasimo Bashin, ish-Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë.
Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Krahas Jorgo Goros dhe Jerasimo Bashit, nën akuzë janë dhe pronari i pronës së bashku me dy ish-zyrtarë të tjerë.
Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën ndërsa për pronarin përfitues rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve.
Hetimet e SPAK për këtë çështje u inciuan pas dy kallëzimeve penale, një prej të cilave u depozitua nga Fredi Beleri.
Të dy kallëzimet u bashkuan në një të vetëm nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme të cilët në funksion të hetimit të kësaj çështje kanë vënë në sekuestro dy sipërfaqet e tokës që dyshohet se janë tjetërsuar si dhe një apartament në Tiranë ku pronar faktik rezulton ish-kryebashkiaku.
Vetë Goro i ka mohuar akuzat.
Tv Klan