Në fund të Shkurtit të këtij viti emisioni “Stop” transmetoi rastin e të riut 18-vjecar Nino Buda, i cili jetonte më gjyshërit dhe ishte i paralizuar.
Për shkak se të moshuarit nuk kujdeseshin dot për të, “Stop” e sistemoi në qendrën rezidenciale në Durrës.
Sot drejtoresha e këtij institucioni, Mimoza Xhengo, na tregon se në fillim Nino hasi vështirësi për t’u ambientuar.
Por tani ai ha, lëviz e merr ashensorin në mënyrë të pavarur. Klinika dentare “Visident” në Durrës i rregulloi edhe dhëmbët dhe Nino shprehet i kënaqur me jetesën e re.
Mimoza Xhengo: Përshëndetje nga Qendra Rezidenciale Durrës! Unë kam Ninon këtu afër.
Gazetarja: Përshëndetje Nino.
Nino: Përshëndetje!
Gazetarja: Si je ti?
Nino: Mirë!
Gazetarja: A po fillon të mësohesh aty?
Nino: Po, po.
Gazetarja: A po kënaqesh me shokët?
Nino: Po.
Gazetarja: Si ka qenë ecuria e Ninos gjatë këtyre dy muajve?
Mimoza Xhengo: Është ambientuar dhe është përshtatur më së miri gjatë këtyre dy muajve.
Mimoza Xhengo: Në fillim e pati pak të vështirë, pasi vinte nga familja. Kishte jetuar me gjyshërit, sa të ambientohej me shoqërinë, me fëmijët e tjerë, por sot unë Ninon e shoh të kënaqur, e shoh të lumtur. Ka krijuar shoqëri, është shumë pozitiv si fëmijë dhe është shumë i mirëkuptueshëm. Është bashkëpunues, ka filluar të lëvizë vetë karrocën, gjithashtu të mbajë vetë lugën dhe të ushqehet vetë! Gjë që nuk e bënte në fillim. Të mësojë dhe ashensorin që të hipi dhe të zbresi vetë. Është mirë domethënë, deri tani është shumë mirë.
Gazetarja: Çfarë u bë me kontrollin e dhëmbëve?
Mimoza Xhengo: U ofrua një klinikë dentare në Durrës “Visident”, dy çuna të mrekullueshëm, mjekë të mrekullueshëm që ditën e dytë ne kemi kontrolluar me ta, dhe kemi vazhduar kontrollin e Ninos dhe pastaj të gjithë ndjekjen e dhëmbëve të Ninos deri në përfundim. Nino sot gëzon shëndet të plotë në gojë. Nuk e di nëse është e dukshme, dhe ai mund ta demonstrojë.
Nga ana tjetër, në llogarinë bankare të hapur nga gjyshërit, vijojnë të vijnë kontribute për 18 vjeçarin.
Këtë radhë Fatjon Zhllima bashkë me “Çunat e Londrës” i dërguan 100 Paund dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë çdo muaj për një vit ose edhe më shumë.
Fatjon Zhllima: Tani, siç e kemi thënë edhe herën e parë, çdo muaj nga 100 Paund për 1 vit minimumi i ka nga unë dhe shokët e mi që jetojnë këtu në Londër. Ne kemi kohë që merremi me këtë gjë, me këto familje, po ishalla çdo muaj për 1 vit i ka nga ne./tvklan.al