183 mijë italianë kanë hyrë në Shqipëri në tre mujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e marra nga Ministria e Turizmit tregojnë se në krahasim me një vit më parë, turistët nga Italia kanë njohur një rritje me 67%.
Përveç vendeve të rajonit që kryesojnë grupin më të madh të të huajve të ardhur në Shqipëri, nga vendet e Europës, italianët mbeten grupi më i madh që e kanë vizituar vendin tonë nga Janari në Mars.
Vendin e dytë e mbajnë të huajt nga Anglia, pasuar nga Turqia dhe Gjermania.
Në tre muaj kanë ardhur në Shqipëri 42 mijë anglezë, një rritje kjo me 78% krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritje e ndjeshme vërehet edhe tek vizitorët gjermanë, të cilët kanë shfrytëzuar klimën shqiptare për pushimet e dimrit, duke njohur një shtim me 74%.
Një interes në rritje për këtë fillimvit vërehet edhe tek turistët përtej oqeanit Atlantik. 29 mijë të huaj nga SHBA e kanë vizituar vendin e shqiponjave në tre muaj.
Krahasuar me vetveten këtë tremujor turistët nga Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Sllovenia kanë regjistruar rritjen më të madhe në numër krahasuar me vjet, me gati dyfish më shumë të ardhur në Shqipëri.
Sipas ministrisë së Turizmit dhe mjedisit në 3 muajt e parë të vitit Shqipërinë e vizituan 1.7 milion turistë të huaj.
Tv Klan