Plot 2 vjet pas nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Luksemburg, përmbushja e reformave dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky proces vazhdojnë të mbeten sfida të rëndësishëm për vendin tonë.

Majlinda Bregu: “Pra jemi në një moment në të cilin duhet ta konsiderojmë veten, le të themi në një këndvështrim pozitivist që kemi ende shumë për të bërë, por që kemi realizuar dhe kemi krijuar këtë besueshmëri që reformat e ndërmarra për hir të procesit të integrimit të vendit janë të pakthyeshme. Të mos ketë le të themi tronditje apo luhatje në këtë klimë të re besimi dhe marrëdhënie të krijuar me Bashkimin Europian. Ishte krejtësisht e vështirë ndoshta deri para dy vitesh, që përfaqësuesit, apo le të themi të gjithë zyrtarët e Brukselit të besonin se Shqipëria do të arrinte të krijonte le të themi një bazë reformash të konsoliduara dhe arritje të cilat të ishin të matshme.”

Por duke qenë një proces kompleks përmbushja e detyrimeve të MSA-së duket se është shoqëruar me vështirësi të cilat kanë  qenë të pashmangshme.

Majlinda Bregu: “Një nga vështirësitë për të qenë realist dhe këtu nuk ka asgjë për të fshehur është pikërisht aftësia e administratës shqiptare për t’u përballur çdo ditë me kërkesat të cilat bart në vete procesi. Një nga rekomandimet kryesore tashëm të Bashkimit Europian, pra fuqizimi i kapaciteteve administrative të cilat të jenë në gjendje të përballojnë procesin. Ne jemi të ndërgjegjshëm se administrata shqiptare është një administratë e cila është tronditur dhe ka pësuar luhatje të herëpashershme, por ajo çka është e rëndësishme është që ne të kemi mundësi që kjo administratë të trajnohet.”

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, tha se tashmë që ratifikimi i MSA-së është në përfundim e sipër hyrja e saj në fuqi nxjerr të tjera detyrime.

Majlinda Bregu: “Ne kemi përafruar tashmë rreth 80% të legjislacionit për sa i përket kriterit politik, rreth 65% të legjislacionit për sa i përket kriterit të brendshëm apo kriterit ekonomik dhe 70% për sa i përket standardeve evropiane. Sfida tjetër e rëndësishme e cila është para nesh është përballimi me sukses i hapit të rëndësishëm, pra kur të paraqesim kërkesën për aplikim, kur të bëjmë aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian si rrjedhojë e të cilës merret statusi i vendit kandidat./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama