Trendet e këtij sezoni do të sigurohen që të nxirrni në pah versionin me vetëbesim të vetes tuaj. Ngjyra  të forta, maksimalizmi dhe bizhuteritë që bien në sy do të jenë pjesë e përditshmërisë.

Nuk do ta besoni, por do të rikthehen byzylykët në krah që nuk i kemi parë prej kohësh. Fokusi do të jetë te ngjyrat, trendi “mermaidcore” dhe më tepër se kaq, por zbuloni më shumë përmes fotove të mëposhtme.

Byzylykët e mëdhenj

Byzylykët rrathë u rikthyen, por në verë madhësia e tyre do të ndryshojë. Fendi, YSL dhe Rabanne  kanë sugjeruar që të jenë sa më të trashë dhe të vendoset nga një në secilin kyç, diçka që e bëri edhe Dua Lipa. Materiali që zgjidhni mund të jetë metal, dru, plastikë e çfarëdo tjetër dhe mos kini frikë të vendosni disa të tillë.

Lule

Lulet nuk do të çelin vetëm në kopshtin tuaj, por edhe në garderobë. Pas gjerdanëve me trëndafil, këtë vit varëset, byzylykët dhe vathët floralë do të ‘kacavirren’ gjithandej. Materiali nuk ka rëndësi, por sigurohuni që të ketë detaje me gdhendje, gurë e zbukurime të tjera.

Çdo gjë që ju kujton oqeanin

Ditët më të nxehta janë më të bukura pranë detit por kur ndodheni larg tij ju mjaftojnë bizhuteritë. Guaskat janë gjithnjë në modë, por yjet e detit apo krustacet u shfaqën edhe në pasarela (Schiaparelli).  Është sezoni i dytë i trendit “mermaidcore”, por pak më chic.

Byzylyku në krah

Pjesa e sipërme e krahëve do të jetë një ‘kanavacë’ ku mund të pikturoni përmes bizhuterive. Erdhi momenti që byzylykun tuaj të vjetër ta nxirrni nga sirtari apo të blini një të ri dhe njësoj si Fendi apo Diesel, ta bëni pjesë të veshjes. Po aq stil do të duket edhe nëse e vendosni poshtë bërrylit siç kanë sugjeruar Rabanne, Tory Burch apo Isabel Marant. Kjo verë kërkon shumë aksesorë dhe mos kini frikë të eksperimentoni.

Gurkali

Kush e njeh stilin ‘country’ e di mirë që gurkali është gjithnjë i pranishëm. Por falë Beyoncé, Kelsea Ballerini dhe Bella Hadid, ky vit do të jetë momenti i gurkalit. Gurët në këtë ngjyrë do të mbizotërojnë përgjatë gjithë verës.

Byzylykët me stringla

Aksesorët më të preferuar të gjimnazit rikthehen! Byzylykët me hajmali e stringla lejojnë hapësirën e nevojshme që të personalizoni sipas dëshirës dhe të tregoni anën tuaj lozonjare./tvklan.al