21 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit, në territorin e vendit. 18 prej tyre janë shuar nga forcat operacionale që po punojnë në terren, në temperatura të larta. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile 3 vatra zjarri janë ende aktive.
Efektivët e Forcave të Armatosura dhe Forcat Zjarrfikëse, së bashku me ato të shërbimit pyjor po punojnë për izolimin e plotë të vatrës në fshatin Pregjë-Lurë, në Dibër.
Puna ka vazhduar për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Shënmëri të bashkisë Mirditë si dhe në vatrën e zjarrit midis fshatrave Goranxi dhe Derviçan, në Dropull të Poshtëm.
Ministria e Mbrojtjes apelon banorët që të bashkëpunojnë me autoritetet vendore, duke raportuar në kohë vatrat e zjarrit, për të shmangur përhapjen në sipërfaqe më të gjera.
Tv Klan