Në një vit kërkuan urdhër-mbrojtje 953 gra
7 vitet e martesës Ana i kaloi nën dhunë. Ditët e 29-vjeçares nga Saranda mbyteshin nën dufin e xhelozisë së bashkëshortit të saj.
“Pothuajse e përditshme, dhunë psikologjike, xhelozia e padrejtë, kishte shumë arsye bashkë, nëse ke dhunë është gjë e kotë të vazhdosh”, thotë ajo
Prej një viti Ana i ka dhënë fund martesës për të nisur një jetë tjetër me detyrime dhe ëndrra të reja.
“Familja është e shenjtë, por duhet të jenë të dyja palët. Mora një guxim shumë të madh dhe i thashë, stop deri këtu, nuk mundem më”, tha ajo.
Shifrat e një viti më parë flasin se lufta për t’u shkëputur nga një marrëdhënie e dhunshme ka qenë për të paktën 953 gra dhe vajza. Por më pak se 50% e tyre kanë mundur të përfitojnë një urdhër-mbrojtje nga Gjykata e Tiranës.
208 çështje janë pushuar, ndërsa 39 të tjera janë pranuar pjesësisht. 127 gra dhe vajza në kryeqytet i janë drejtuar me kërkesë padi për urdhër-mbrojtje gjatë periudhës Janar–Shkurt 2020. Vetëm 50% e tyre e ka përfituar mbrojtjen.
Për sociologët dhunimi i anëtarëve të familjes është sjellje e një trashëgimie patriarkale, ndaj në 80% viktima janë gratë. Të tjera shkaqe potenciale që çojnë në dhunë shohin mungesën e të ardhurave, papunësinë apo mungesën e komunikimit.
Tv Klan