Java e 7 e Kategorisë Superiore luhet e shtrirë në 3 ditë. Përballja që ngre siparin e saj luhet në Rrogozhinë të premten, me Egnatian që pret Partizanin. Përsëritje e finales së edicionit të shkuar, e fituar nga Egnatia dhe që e kurorëzoi fitues të titullit kampion.
Një shans i mirë për “demat” për të marrë hak për atë humbje, teksa në rast fitoreje, do të parakalonte në renditje pikërisht rrogozhinasit. Takim që do luhet në orën 16:00 të së premtes ku do ketë vëmendjen më të lartë, pasi është edhe kryesfida e javës së shtatë të Superligës.
Egnatia ka grumbulluar 11 pikë, ndërsa Partizani 9 të tilla. Edhe e shtuna premton ndeshje spektakolare. Laçi sfidon Teutën me shpresën për të koleksionuar fitoren e parë sezonale. Kurbinasit kanë marrë vetëm 3 pikë në 6 javë, ndërsa Teuta vjen pas atij barazimi me Dinamo City-n.
Kryeqytetasit zbresin kundër Vllaznisë kryesuese në orën 19:00 për të ruajtur trendin e rezultateve pozitive. “Nëndetësja blu” ka marrë 2 fitore dhe 2 barazime në katër ndeshjet e fundit për t’u pozicionuar në mesin e renditjes.
Përballje e skuadrave të ngjitura në këtë sezon në Superligë luhet të dielën. Bylis pret në Ballsh Akademinë e Futbollit Elbasani në një 90 minutësh që vendos kundër njëri-tjetrit dy skajet e renditjes. Ballshiotët vijnë pas dy humbjeve radhazi dhe ndaj elbasanasve do tentojnë rikthimin te fitorja.
Pas rekordit të barazimeve shënuar kundër Partizanit, Tirana zbret në fushë kundër Skënderbeut. Bardheblutë kanë regjistruar rezultat të barabartë në 6 ndeshjet e para sezonale dhe këtë të diel masin forcat me korçarët.
Kryeqytetasit do tentojnë të thyejnë mallkimin dhe në rast fitoreje do kalonte në renditje pikërisht Skënderbeun. Pas 6 javësh kampionat, kampionati kryesohet nga Vllaznia me 13 pikë, ndërsa e fundit gjendet Laçi me vetëm 3 pikë.
Klan News