3 të vrarë dhe 1 i plagosur është bilanci i atentatit të regjistruar mbrëmjen e së shtunës në lagjen nr.3 të Memaliaj. Ngjarja u regjistrua në orën 23:20 në pjesën e jashtme të një lokali, ku qëndronte një prej viktimave, Shyqyri Kalemi, që dyshohet të jetë dhe objektiv i këtij atentati. 74-vjeçari është babai i Adriatik Kalemit që i ka shpëtuar disa atentateve.
Ai po qëndronte ulur në këtë tavolinë që shihni në pamje së bashku me të vëllain, Andrea Kalemin që mbeti i plagosur nga ky atentat kur persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet tip BMW, lëshuan breshëri kallashnikovi në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.
Plumbat u përhapën kudo, ndaj veç Shyqyri Kalemit, kapën dhe kamerierin e lokalit 36-vjeçarin, Gledio Muka dhe 47-vjeçar, Marsel Çela, klient i rastësishëm në lokal. Pasi lëshuan breshërinë e plumbave, autorët që dyshohet se ishin të paktën 3 persona u larguan me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës. Aty ato dogjën automjetin tip BMW, brenda së cilit u gjetën të shkrumbuara dhe 3 armë zjarri kallashnikov.
Lidhur me këtë ngjarje banorët e Memaliajt shprehen të tronditur: Të 3 i njoh, të 2 djemtë dhe personin tjetër. Njëri nga ata çunat punonte aty, kurse njëri vinte rastësisht. Jemi tronditur shumë fare. Të vriten 3 veta është kiamet i madh, çfarë thua. Nuk ka ku të vejë më. Nuk dëgjova mbrëmë të shtëna. Sot e mora vesh, kur kalova aty vërdallë dhe kur pashë policinë.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria dyshon se ngjarja e rëndë ka si prapavijë hakmarrjen ndaj fisit Kalemi, konkretisht djalit të viktimës, Adriatik Kalemit. Ky i fundit është daja i Alekasandër Sadikajt të ekzekutuar në Qershor të 2022 me tritol në autostradën Tiranë-Elbasan. Mbi bazën e këtyre dyshimeve, grupi hetimor po kryen verifikime, si dhe po analizon dhjetëra pamje filmike që mund t’i çojnë në gjurmët e autorëve.
Tv Klan