336 apartamente janë gati dhe po i dorëzohen banorëve të Krujës, të cilëve iu dëmtuan shtëpitë e vjetra nga tërmeti. Kryeministri Rama bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ishin në këtë lagje të re për t’iu dorëzuar çelësat e apartamenteve të reja disa prej banorëve.
“Këtu kryeministër, kemi 19 godina të cilat kanë 336 njësi të tre tipologjive, pra 1+1, 2+1 dhe 3+1. Ndërkohë që jemi gati edhe me infrastrukturën urbane të brendshme që ka qenë pjesë e kësaj pakete”, u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.
Kryeministri Rama, takoi disa nga qytetarët përfitues nga Programi i Rindërtimit, të cilët shprehën falënderime dhe mirënjohjen për punën e bërë.
“Ju falenderojmë shumë, zoti Kryeministër për angazhimin që bëtë ju dhe qeveria juaj për ta përballuar atë situatë në të cilën ne ishim në vështirësi dhe zgjidhja erdhi”.
Çdo godinë është e pajisur dhe me parkimin nëntokësor, ndërkohë shorti vazhdon për të gjithë banorët përfitues.
“E rëndësishme është që këto janë kthyer në një lagje me gjithë funksionet e tyre, bashkë me parkime nëntokësore. Këtu ka dhe mini sheshe që në vazhdimësi do të kthehen në kënde për fëmijët. Këto i japin një element urban, përtej rindërtimit dhe aspektit social të banesave”, tha Agolli.
Në Krujë kjo është lagja që përmbyll Programin e Rindërtimit i cili ka krijuar kushtet optimale që familjet të kenë sërish shtëpinë e tyre të re, më të fortë, më të bukur dhe mbi të gjitha falas./tvklan.al