Eduart Shaka, 44 vjeç nga Shqipëria, humbi jetën më 23 Dhjetor në orët e vona të natës, në një aksident automobilistik në Pontebbana, një zonë në afërsi të bashkisë Spresiano.

Përplasja me një tjetër automjet rezultoi fatale për të. Mësohet se policia e gjeti të pajetë jashtë makinës së tij, pak metra më tutje nga vendi ku ndodhi aksidenti.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se 44-vjeçari nuk e kishte vendosur rripin e sigurimit, çfarë solli dhe daljen e trupit të tij nga makina pas përplasjes së fortë me automjetin tip Golf që drejtohej nga një 53-vjeçare me shtetësi italiane.

Drejtësia në Itali po punon për zbardhjen e këtij aksidenti tragjik, teksa pritet që autopsia të zbulojë se çfarë e shkaktoi vdekjen e Shakës, i cili punonte në zdrukthari.

Mediat italiane shkruajnë se, drejtuesja e Golfit është vënë nën hetim, me akuzën e vrasjes në rrugë. Dyshohet se ajo ka bërë një parakalim të gabuar për arsye ende të paqarta, duke u përplasur kokë më kokë me Fiat Punton ku udhëtonte Shaka.

Viktima e këtij aksidenti, Eduart Shaka jetonte në Itali që prej vitit 2010 së bashku me vajzën e tij. Që nga viti 2019 drejtonte një biznes zdruktharie në Nervesa./tvklan.al