Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në një deklaratë për shtyp këtë të shtunë. Ai u shpreh se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është larguar nga Shqipëria, në drejtim të panjohur. Berisha e konsideron këtë veprim si një akt të rëndë dhe thotë se është organizuar dhe orkestruar nga Rama.

“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama”, tha Berisha.

Berisha hodhi akuza ndaj Veliajt duke e cilësuar si “bashkëautor dhe dëshmitar të vjedhjeve më të paimagjinueshme që Rama i ka bërë Shqipërisë”. Kryetari i PD-së tha se kryeministri Edi Rama ka bllokuar lëshimin e urdhër-arrestit për Veliajn.

“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë. Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz. Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë. Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale. Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai”, tha Berisha.

Veliaj pas dëshmisë në SPAK

Kujtojmë se SPAK ka sqaruar në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se ka regjistruar procedim, fillimisht për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.

Prokuroria e Posaçme thotë se informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar me inicialet N.A. SPAK deklaron se deri në këtë fazë të hetimit ka gjetur prova që lidhen me disa vepra të tjera penale.

Kujtojmë se herën e fundit që Veliaj u paraqit në SPAK qëndroi atje rreth 5 orë për të dhënë dëshminë e tij. Më pas nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, Veliaj deklaroi se është denoncuar nga shtetasi Nesti Agoni, një njeri anonim që nuk ekziston. Ai u shpreh se ndaj tij është ngritur një kurth dhe gjithçka është sajuar.

Ndërkohë avokatët e Veliajt e kanë quajtur hetimin e SPAK si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin./tvklan.al