Fundjava ka qenë pozitive për futbollistët kuqezi, që kanë kontribuuar me gola dhe asiste. Taulant Seferi ishte njeriu i ndeshjes Bani Jas-Hata në Emiratet e Bashkuara Arabe, që përfundoi me rezultatin 4-2. Sulmuesi kuqezi shënoi dygolësh dhe dha edhe dy asiste. 9 gola dhe 3 pasime për gol për 29 vjeçarin në 19 ndeshje të luajtura.
Edhe Myrto Uzuni dha kontributin e tij në fitoren 3-0 të Granada-s ndaj Osasuna. Për lojtarin e përfaqësueses shqiptare, kjo ishte rrjeta e 11-të sezonale.
I pandalshëm në Turqi Rei Manaj, që i dha triumfin Sivasporit ndaj Koniasporit dhe e fitoi derbin me sulmuesin tjetër kuqezi Sokol Cikalleshi. Për 27 vjeçarin, ky është goli i 18 në këtë sezon në Superligën turke.
Edhe Mirlind Daku la shenjë në kampionatin rus. Lojtari i Rubin Kazan ishte protagonist absolut në fitoren 2-0 ndaj Zenitit, ku shënoi gol dhe dha asist
Ai e zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të, ndërsa në të 67-ën shërbeu saktë për Martinoviç.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Kastrati, Gjimshiti, Mihaj, Veseli, Mersinaj, Mitaj, Aliji, Muçi dhe Muçolli.
Klan News