Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka dhënë detaje për takimin me ambasadorin britanik Nicholas Abbott. Përmes një postimi në “X”, ai thotë se diskutuan mbi përgatitjet parazgjedhore si dhe për votimin e diasporës.

“Mikpritëm sot në @KQZShqipëri, Ambasadorin Britanik në Shqipëri, z. Nicholas Abbott me të cilin zhvilluam një bisedë të hapur mbi përgatitjet e KQZ për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Pasi diskutuam mbi zhvillimet dhe mjedisin politik në këtë periudhë parazgjedhore, u thelluam mbi temën e votimit nga jashtë dhe sfidat e organizimit të këtij procesi. Ndamë pikëpamjet dhe përpjekjet tona mbi çështje me rëndësi si masat e marra për parandalimin e shitblerjes së votës, shmangies së abuzimit të burimeve shtetërore në fushatë dhe rritjen e rolit të institucioneve të tjera në luftën kundër krimeve zgjedhore. Me Ambasadorin Abbott u ndalëm edhe tek plotësimi nga ana e KQZ të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe nevojës së implementimit të plotë të rekomandimeve që kërkojnë ndërhyrje legjislative nga Kuvendi”, shkruan Celibashi.

Më tej, ai shton se kanë folur për risitë e Platformës së Raportimit Financiar dhe promovimin e rolit mbikqyrës të shoqërisë civile mbi financimet zgjedhore.

“Me Ambasadorin Abbott dakordësuam rëndësinë unike të procesit të ardhshëm zgjedhor që lidhet me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. E falenderova Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e fortë ndaj KQZ dhe vijimin e nismave të përbashkëta për fuqizimin e institucionit”, përfundon kryekomisionieri.

/tvklan.al