Humbin jetën 11 qytetarë, rriten shtrimet në spitale
Koronavirusi ka shkaktuar 11 viktima të tjera në vendin tonë, duke e çuar në 623 numrin total të jetëve të humbura që nga nisja e epidemisë. Gjashtë nga personat që e humbën betejën me virusin janë nga Tirana, më i riu ndër ta vetëm 55 vjeç, ndërsa 3 tjerë janë nga Elbasani, një nga Dibra dhe një tjetër nga Durrësi.
Një situatë problematike paraqitet në spitalet COVID, ku është rritur sërish numri I pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 393 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 5 të intubuar.
COVID ka shënuar një tjetër rekord infektimesh, teksa në 24 orët e fundit janë konfirmuar 597 raste të reja, shifra më e lartë që nga shfaqja e virusit në vendin tonë. Sërish harta e përhapjes së COVID-19 shtrihet thuajse në të gjithë vendin, por me një rritje të konsiderueshme të rasteve në qytetet kryesore. Kështu veç Tiranës ku janë konfirmuar 171 raste, një numër të lartë të infektimeve e ka dhe Durrësi dhe Korça me nga 38 raste secila, Fieri me 36, Lushnja me 35, e për të vazhduar me qytetet e tjera me një numër më të vogël personash të infektuar.
Lajmi pozitiv është se në 24 orët e fundit janë shëruar 122 qytetarë, duke e çuar numrin e personave që e kanë fituar betejën me koronavirusin në 12,889 persona.
Tv Klan