Rreth 67.1 milionë njerëz ndoqën debatin presidencial midis demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, një rritje e theksuar e shikueshmërisë nga debati i qershorit që përfundimisht çoi në tërheqjen nga gara të Presidentit Joe Biden.
Debati u zhvillua nën kujdesin e kanalit televiziv ABC News, por u transmetua nga 17 rrjete të ndryshme, sipas kompanisë Nielsen. Debati i qershorit mes Presidentit Biden dhe kandidatit Trump u ndoq nga 51.3 milionë shikues.
Audienca e së martës është larg shifrës rekord prej 84 milionë shikuesish, në vitin 2016, gjatë debatit të parë presidencial ndërmjet demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump. Në vitin 2020, debati i parë mes Presidentit Trump dhe kandidatit demokrat për president, Joe Biden, tërhoqi 73.1 milionë njerëz.
Sipas mendimit të analistëve, zonja Harris duket se fitoi më shumë pikë në debatin e parë me rivalin Trump. Ish presidenti dhe mbështetësit e tij kanë shprehur kritika të ashpra ndaj dy moderatorëve të debatit, David Muir dhe Linsey Davis. Dy gazetarët e rrjetit ABC korrigjuan katër herë deklaratat e zotit Trump.
Aktualisht nuk janë planifikuar debate të tjera mes dy kandidatëve presidencialë, megjithëse ka pasur zëra dhe rrjeti “Fox News Channel” ka ofruar publikisht alternativa. Kanali CBS do të organizojë një debat mes kandidatëve për postin e nënpresidentit, ku demokrati Tim Walz do të përballet me republikanin JD Vance.
/VOA