Gjykata e Posaçme e Apelit nuk arriti as pas një seance që zgjati mbi 7 orë, të dilte me një vendim mbi ankimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 4 biznesmenëve të akuzuar në të njëjtën dosje kundër masave të sigurisë.
Gjyqtari Engert Pëllumbi u detyrua tu jepte kohë avokatëve të të hetuarve, për tu njohur me disa prova të reja të dorëzuara këtë të martë nga prokurorët e SPAK, në kuadër të kërkesës së tyre për vijimin e masës “Arrest në burg”.
Ndërkohë, gjatë seancës, nëpërmjet avokatëve, Erion Veliaj, kërkoi një masë sigurimi më të butë, duke e konsideruar masën e “Arrestit në burg” si jo proporcionale, pasi siç argumentuan ata ai nuk ka rrezik ikjeje dhe as prishje të provave.
Ata gjithashtu i kërkuan Gjykatës së Apelit lirinë në garanci pasurore.
Lirinë kërkoi edhe biznesmeni Elman Abule, i arrestuar bashkë me Veliajn për dyshimet se është përfshirë në korrupsion.
Masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur” kundërshtuan edhe avokatët e 3 biznesmenëve të tjerë, Meriman Palishi, Shkëlqim Fusha dhe Gentian Sula, të vënë nën hetim për korrupsion.
Këtë të martë, Apeli nuk pranoi as kërkesën që si vëzhgues në këtë seancë, të qëndronte një avokat amerikan, i pajtuar nga Kryebashkiaku.
Ky i fundit është nën hetim nga SPAK për dyshimet se bashkë me gruan e tij, është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash.
Tv Klan