Pjesa më e madhe e të rinjve në Shqipëri nuk janë në një marrëdhënie romantike. Kjo është një nga gjetjet e studimit të fondacionit gjerman Friedrich Ebert, sipas të cilit 75% e të pyeturve nga mosha 14-29 vjeç në vitin 2024 kanë pohuar se nuk janë në një lidhje. Sakaq, një numër shumë i vogël, 11.5% janë të martuar, 5.6% janë të lidhur dhe bashkëjetojnë, ndërsa 6% janë të lidhur, por nuk jetojnë bashkë.
Në krahasim me studimin e vitit 2019, vihet re se ka një rënie të të rinjve që nuk janë në një marrëdhënie dhe një rritje të atyre që bashkëjetojnë. Kjo përforcon idenë se në 4 vitet e fundit ka një tendencë në rritje të të rinjve për të qenë në marrëdhënie, por jo në mënyrë institucionale.
Një fakt interesant është se divorci nuk është i përhapur tek të rinjtë shqiptarë. Studimi tregon gjithashtu se faktori më i rëndësishëm që të rinjtë marrin në konsideratë për të zgjedhur partnerin e tyre është niveli i edukimit. Faktori i dytë që ndikon në zgjedhjen e partnerit është aprovimi i familjes, pasuar nga statusi financiar apo gjendja ekonomike.
Tv Klan