Për herë të parë numri kalon mbi 600 në ditë
602 të infektuar ne 24 orë është rekordi i ri që ka shënuar COVID-19 në Shqipëri që prej nisjes së qarkullimit të virusit në mars. 2241 të dyshuar i janë nënshtruar testit të PCR në të gjithë vendin.
Kryeqendra e vendit Tirana, vijon të jetë dhe vatra kryesore e virusit me 249 raste të reja në 24 orë. Për t’u pasuar nga Gjirokastra me 47 raste, Lushnja 38, Fieri, Korça e Kavaja nga 30 raste. Të infektuar me COVID-19 janë identifikuar me anë të testeve thuajse në të gjitha qytetet e vendit.
Edhe këtë të hënë 8 pacientë nuk kanë mundur ta fitojnë betejën me koronavirusin duke e çuar në 631 totalin e jetëve të humbura si pasojë e COVID-19. 4 nga rastet e fundit janë nga Tirana ku viktima më e re është një 48-vjeçare. Të tjerët janë nga Mirdita, Kurbini, Gramshi dhe Durrësi.
Rastet që kanë nevojë për trajtim spitalor gjithashtu kanë ardhur në rritje. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 406 pacientë, 14 në terapi intensive dhe 3 të intubuar.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 564 qytetarë të cilët kanë plotësuar karantinimin 14 ditor, sipas të dhënave të Operatorit Qendror të Kujdesit Shëndetësor. Në total janë 13.453 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin që nga fillimi i epidemisë, ndërsa 14,348 janë ende aktiv dhe potencial për të infektuar të tjerët nëse nuk izolohen.
Tv Klan