Autori vrau 9 persona, nenën dhe veten
Natë terrori përjetuan banorët e qytezës gjermane të Hanaut. Ky 43-vjeçar, i identifikuar nga mediat si Tobias R. me bindje radikale të djathtë, qëlloi për vdekje me armë 10 persona, e më pas vrau veten.
Ai hyri me armë në dy bare pranë qendrës, duke vrarë 9 persona e dukë plagosur rëndë 6 të tjerë. Policia mbërriti me urgjencë në vendngjarje, por nuk arriti ta ndalonte, pasi ai ishte arratisur.
Pak orë më vonë, ai u gjet i vetëvrarë pranë trupit të pajetë të së ëmës. Hetuesit thanë se para masakrës në bar, ai kishte vrarë me armë edhe mamanë 72-vjeçare. Autoritetet thanë se viktimat ishin me shtetësi turke dhe kurde. Banorët e zonës shprehen të shokuar nga kjo ngjarje.
“Nuk kishim parë ndonjëherë një ngjarje të tillë, të ndodhte në zonën tonë. Ishte si film, si një shaka e keqe. Ende s’arrij ta kuptoj atë që ndodhi dhe të gjithë në këtë zonë janë të tronditur”, tha një dëshmitar.
Autori kishte publikuar pak ditë më parë edhe një manifest të shkruar prej tij, me nota ekstremiste të djathta. Ndërsa në video të tjera të ditëve të fundit, në disa prej të cilave fliste rrjedhshëm anglisht, ai u bënte thirrje amerikaneve të sulmonin bazat ushtarake në vendin e tyre. Sipas tij, këto baza përdoren nga shoqëri sekrete për të mbajtur nën kontroll popullin për qëllime mizore.
Kohët e fundit në Gjermani janë shtuar sulmet nga autorë të lidhur me radikalizmin e djathtë. Gjermania është një ndër vendet kryesore ku mbështetja për partitë e këtij spektri po pëson rritje të ndjeshme, siç është rasti i Alternativës për Gjermaninë, që përfaqësohet në parlamentin e vendit dhe në shumicën e parlamenteve rajonalë.
Tv Klan