“Ishte ora 14:00 kur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe punonjës të Policisë së Tiranës mbërritën në ambientet e Bashkisë, ku i komunikuan kryebashkiakut Erion Veliaj, se ndaj tij kishte një masë sigurimi “arrest në burg” lëshuar nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK”, raporton gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi.
Pak minuta më pas, Veliaj doli nga bashkia i shoqëruar nga agjentët e BKH.
Pasi hipi në makinën e tij, iu drejtua Bllokut të Sigurisë, aty ku do të presë daljen përballë Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë.
Bashkë me Veliajn, nën hetim dhe me masë sigurimi nga Gjykata e Posaçme u mor edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila do të qëndrojë në “arrest në shtëpi”. Por masa ndaj saj nuk është ekzekutuar ende, pasi ndodhet jashtë shtetit për arsye shëndetësore.
Ata akuzohen për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash.
Se ka bashkëpunuar në pastrimin e të ardhurave të krijuara nga korrupsioni, mësohet se masë “arresti në burg” u vendos edhe për biznesmenin Elman Abule.
Masa më te lehta u caktuan nga Gjykata e Posaçme për 5 biznesmenë të tjerë, konkretisht Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat se kanë korruptuar kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij.
Tv Klan