Prokuroria e Fierit dërgoi në gjyq shtetasin N.B, përgjegjës i Teknikës dhe Hotelerisë në spitalin e Lushnjespër ‘Shpërdorim Detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Pas hetimeve rezultoi se ky person ka kryer një tender me objekt riparimin e shërbimit të ashensorit në shumë 468 mijë Lekë.

Me detyrë funksionale si anëtar në komisionin e prokurimeve, ai ka kryer i vetëm praktikën përkatëse të prokurimit, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

“Në përfundim të hetimeve, prokuroria vlerësoi se, nga tërësia e veprimeve dhe mosveprimeve, shtetasi N.B ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me detyrën funksionale të tij dhe për këtë shkak ngriti akuzën për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar në nenet 248 i Kodit Penal dhe dërgoi për gjykim”, njoftoi prokuroria.

“Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shpërdorojnë funksionin publik të besuar duke cënuar interesat e shtetit apo individëve”, shtoi më tej prokuroria./tvklan.al