Pushime aktive dhe argëtim për fëmijët gjate pushimeve verore. Është ky motivi për të cilin Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ndërmarrë për të parën herë një nismë të re aktivitetesh kushtuar fëmijëve. Një iniciativë kjo e realizuar në pikun e sezonit turistik në mjediset e Plazhit Tropikal në Durrës.

Nada Kallçiu: “Sivjet për herë të parë Agjencia Kombëtare e Turizmit në pikun e sezonit turistik, ka marrë këtë nisëm për të qenë më pranë pushuesve, për të krijuar traditën e pushimit aktiv jo vetëm det dhe rërë, por dhe atraksione përsa i përket aktiviteteve me fëmijët në pishinë, në plazh gjithashtu. Kjo do jetë një iniciativë e cila do të zgjasi deri në momentin që ne do të shikojmë që është kthyer në një traditë dhe pushuesit por si dhe bizneset do ta kërkojnë dhe do ta zhvillojnë më tutje”.

Këto aktivitete kanë gjetur mbështetjen edhe të artisteve të cirkut si Met Selimi, i cili ka dhënë një shfaqje të vërtetë për fëmijët në parkun e plazhit.

Më tej fëmijët janë bërë personazhe të lojërave të ndryshme në pishinat e këtij kompleksi, që duket se i kanë joshur pa masë fëmijët duke u dhënë edhe më shumë kuptim pushimeve të tyre të verës. Pasi më shumë se për qetësi fëmijët kanë nevojë për argëtim./tvklan.al