Festat e fundvitit kanë gëzuar rreth 160 fëmijë të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.
Zv/Ministrja e Brendshme, znj. Iva Zajmi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, kanë dhënë mesazhe në shenjë respekti dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata punonjës policie, që dhanë jetën në krye të detyrës.
Ahmet Premçi: “Për ne kolegët e baballarët tuaj tashmë është e pamundur që gëzimi i festave të fundvitit të mos jetë që të ndahet së bashku me ju. Kujdesi ndaj jush është një ndjesi sa njerëzore, po aq dhe një detyrim që kemi ndaj shokëve tanë të shtrenjtë, detyrim për t’ju garantuar një fëmijëri të bukur dhe të ardhme të sigurt, ashtu siç dëshironin baballarët tuaj”.
Të gjithë fëmijëve të pranishëm në këtë veprimtari iu shpërndanë dhurata të ndryshme, të siguruara nga kompani biznesi, që iu bashkuan kësaj nisme me karakter humanitar.
Për fëmijët nën 18 vjeç janë dhuruar dhe një shumë modeste në lekë, ndërsa për ata mbi 18 vjeç nga 7 mijë lekë, fonde këto të siguruara nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe donatorë të ndryshëm./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani