Vrasja e 14- vjeçarit në afërsi të shkollës “Fan Noli” nuk mund të zgjidhet me mbylljen e rrjeteve sociale sipas sociologut Gëzim Tushi.
Gëzim Tushi, sociolog: Rrjetet sociale nuk mbyllen. Është kohë moderne, nuk fiket interneti. Ajo që kemi në dorë të bëjmë është vetëm rruga edukative. Nuk ka faj teknologjia, interneti që ne kemi këtë nivel të kriminalitetit. Teknologjia është një aset i madh, defekti është kulturor sepse ne nuk po merremi me fëmijët tanë dhe jo vetëm ne, por edhe shoqëria e shkolla për të krijuar një koncept të ri kulturor për përdorimin e teknologjisë për qëllime të dobishme dhe humane.
Sociologu Gëzim Tushi tha për Klan News se ngjarja tragjike e vrasjes së adoleshentit duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë shoqërinë.
Gëzim Tushi, sociolog: Shoqëria shqiptare ka pësuar një dëmtim makinerie edukative. E gjithë makineria edukative e shoqërisë në këto 30 vite janë prishur disa institucione që janë themelore të sigurisë morale, të autoritetit social. Shoqëria nuk është turmë, është e përbërë nga institucionet që merren me edukimin, formimin që derdhin dhe formojnë personalitetin e njerëzve në familje, shkollë, shoqëri, media, shoqëri civile e institucione fetare. Këto janë institucionet që kanë impaktin e ndikimit qoftë në mënyrë kapilare apo strategjike. Në mënyrë strategjike ne kemi nevojë të ndryshojmë këtë armiqësinë që ka filluar kundër edukimit. Shoqëria ka filluar ta ndjejë të panevojshëm edukimin.
Duke u solidarizuar me protestën e prindërve ai tha se për arsimin dhe edukimin në vend duhet të ketë një diskurs publik real.
Gëzim Tushi, sociolog: Kjo ngjarje le të jetë një pikë kthese për ta perceptuar ndryshe realitetin. Mos ta lëmë më në mënyrë lineare. Është momenti për një diskutim prej vërteti për të kompaktësuar rolin pozitiv, sinkretik dhe të sintetizuar të institucioneve kryesore të edukimit në shoqëri.
Reagimet e qytetarëve dhe të prindërve për ngjarjen te shkolla “Fan Noli” janë të forta dhe sipas eskpertëve nëse nuk ka regim nga institucionet, fenomente të tilla nuk do të mund të ndalen.
Klan News