Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Sipas gazetës së përditshme “Korrieri”, urdhri i Ministrit të Rendit Igli Toska për pranimin e 15 studentëve në Akademinë e Rendit është i paligjshëm. Në një shkrim të botuar sot, thuhet se nga 15 studentët e kuotës shtesë për vitin akademik 2003-2004, vetëm 7 prej tyre kanë plotësuar kriteret, ndërsa të tjerët janë pranuar pa i plotësuar këto kritere.
Drejtori i Akademisë së Rendit Bajram Yzeiri, ka deklaruar në një konferencë për shtyp, se për kontingjentin prej 8 studentësh, që sipas gazetës nuk i ka plotësuar kriteret, ka një urdhër të veçantë të këshillit të ministrave.
Bajram Yzeiri: “Sipas legjislacionit në fuqi dhe akteve normative, 7 nga kjo kuotë, janë konkurrentë që janë renditur sipas rendit zbritës, të listës së fituesve në konkurrim. 8 studentët e tjerë, duke u bazuar në relacionin dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar, u përzgjodhën nga fëmijët e punonjësve të policisë të rënë, ose plagosur në krye të detyrës, si dhe fëmijë të figurave të njohura që kanë kontribuuar në shërbimet e rendit dhe sigurisë publike në vite. Kështu në këtë listë mund të përmendim dhe vajzën e policit të vrarë Kristaq Begu, i rënë në krye të detyrës në vitin 97, e cila me interesim të veçantë të ministrit të rendit, është pranuar në akademi me urdhër të veçantë më 27 Nëntor të vitit 2003”./tvklan.al