Një triumf i madh artistik dje në televizionin Klan. Nata magjike e yjeve shqiptare, përcolli emocione të jashtëzakonshme kompeticioni, ku fituan konkurrentët më të talentuar dhe ku ligji i vetëm i vlerësimit ishte meritokracia. Të ftuarit VIP të botës muzikore shqiptare, përfaqësuesit më të zgjedhur të produksioneve muzikore, kritikët dhe një panel i zgjedhur kryeredaktorësh, shijuan dhe vlerësuan me nota entuziaste interpretimin e 11 konkurrentëve  në sfida të njëpasnjëshme, profesionale, të të gjitha niveleve dhe zhanreve artistike. Duke treguar se për 4 muaj që janë trajnuar në Akademinë e Yjeve, me ta ka ndodhur një ndryshim kolosal. Tashmë këta të rinj janë të përgatitur të integrohen në tregun e muzikës shqiptare dhe të huaj si dhe të jenë pjesë e trupave profesioniste më prestigjioze.

Pas një show të niveleve superiore mbërriti dhe momenti final, ai i kremtimit të këtij konkursi të madh vlerash. Çmimin e parë në disiplinën e këngës, sipas votës së publikut e meritoi Elhaida Dani ndërsa në balet Adela Lami, në krye mes tyre u rendit këngëtarja shkodrane, e cila meritoi çmimin e madh. Surprizat për të përzgjedhurit do jenë të pafundme. Krahas një shpërblimi material, sponsorizimeve për shkollim,  fushata publicitare,  fitueses së çmimit të parë dhe të dytë në këngë do t’i jepet mundësia të realizojë një album me shtëpinë diskografike “Eurostar” së bashku me një videoklip,  ndërkohë që “Balcanica music televizion” do të realizojë  një projekt tjetër të rëndësishëm me më të talentuarit e Akademisë.

Moderatorja dhe producentja e formatit të famshëm, zonja Zana Çela, që në natën finale performoi së bashku me nxënësit në një interpretim surprizë me këngët e Vaçe Zelës, shprehet se qëllimi i Akademisë 4 u arrit në të gjitha komponentët që i kishin vënë vetes.

Elhaida Dani: “E prisja po normalisht ditën e fundit, sidomos në ato emocione që isha, gjithçka mund të pritej, mund të pritej sikur të fitonte dikush tjetër. Por ndjehem shumë, shumë e lumtur”.

Adela Lami: “Kjo akademi më ka dhënë gjënë më të bukur që mund të më jepte çdo gjë tjetër në jetë dhe më ka dhënë forcën për të vazhduar të kërcej pa fund”.

Zana Çela: “Ishin të gjithë të mrekullueshëm dhe ne që organizojmë ndjejmë një kënaqësi shumë të madhe, sepse është brezi i ri që vazhdimisht na inspiron të vazhdojmë e të vazhdojmë të punojmë për ata. Kjo është detyra jonë, kjo është detyra jonë si prindër dhe si profesionist. Ju falënderoj shumë!”/tvklan.al