I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan pasditen e kësaj të marte ishte anëtari i jurisë së “Këngës Magjike”, Kleart Duraj. Duke folur për eksperiencën e tij në këtë kompeticion ai nuk kurseu as fjalët më të mira për festivalin e “Këngës Magjike”.
“Niveli i Këngës Magjike është i tillë që krahasohet me çdolloj show, ose më saktë është më lart se çdolloj spektakli të shteteve dërrmuese të Ballkanit Perëndimor, hahet me produksionet ‘top’ që bëhen në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë Arditi meriton një duartrokitje shumë të madhe.”
Në “kostumin” e anëtarit të jurisë, Kleart Duraj argumentoi votat e tij në “Kënga Magjike”. E teksa u bë e ditur se votoi si këngën më të mirë atë të Arilena Arës dhe Pirro Çakos pavarësisht se këta të fundit nuk arritën dot të performonin në natën finale të kompeticionit.
“Për shkak të sistemit votimi është i tillë që nuk parashikon një tërheqje të tillë nga gara për arsye shëndetësore dhe rrjedhimisht ne dhamë vlerësimin tonë bazuar në gjithçka që kishim parë dhe dëgjuar në skenë. Mua më pëlqeu shumë kënga edhe nga ana e produksionit është një këngë e qepur shumë bukur, është një krijim interesant dhe për mendimin tim janë si një personifikim i muzikës së lehtë shqiptare. Muzika e lehtë shqiptare tashmë ka shumë ndikime nga stile, rryma dhe zhanre të ndryshme, kjo është më se normale pasi ne operojmë në një treg global. Por, mua mu duk shumë shqip, kënga e dytë padiskutim që ishte e preferuara e publikut, ajo e Rozana Radit dhe Sany. Ndërsa kënga e tretë për një të njohurën time të vjetër me të cilën kam pasur kënaqësinë të jem dhe tek Eurovizioni në Izrael, Jonida Maliqi që bëri një interpretim shumë perfekt të një kënge shumë të bukur. Pastaj në vendin e katërt rendita Ronela Hajatin sepse edhe kënga e saj më pëlqeu shumë sepse dukej që rezononte me audiencën, sidomos me atë të renë dhe në vendin e pestë Aurel Thëllimin,” tha ai./tvklan.al