Spektakli “X Factor Albania 6” në Tv Klan do të nisë premierën e tij nesër, por një ndryshim i papritur ka trazuar formacionin e jurisë vetëm 24 orë para startit. Pasi u njoftua largimi i këngëtares Elhaida Dani, produksioni ka zbuluar se vendin e saj do ta zërë një figurë shumë e dashur për publikun shqiptar: Soni Malaj.

Këngëtarja e njohur rikthehet në panelin e jurisë pas një pauze të gjatë, duke rifituar rolin që mbajti më parë në sezonin e dytë dhe të tretë të këtij talent show. Në këtë edicion, Soni do të drejtojë sërish kategorinë e djemve, duke u bërë për herë të tretë mentore e kësaj kategorie.

Vendimi për zëvendësimin e Elhaida Danit, e cila gjithashtu ishte caktuar të udhëhiqte kategorinë e djemve, mbetet ende i paqartë, pasi produksioni nuk ka dhënë detaje rreth arsyeve të largimit të saj.

Rikthimi i Sonit pritet të sjellë një energji të re në garë duke qenë se përvoja e saj si mentore në edicionet e mëparshme ka prodhuar rezultate të shkëlqyera për konkurrentët e saj./tvklan.al