Shqipëria nuk është vendi më i shtrenjtë në kontinent për thirrjet telefonike. Vetëm vitin e fundit tarifat për komunikimin me celular janë ulur më se 43 % rrjedhojë e masave liberalizuese të tregut.
Drejtori i Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar, Ilir Shehu, pohon se niveli aktual tarifor e rendit Shqipërinë nën mesataren evropiane për tarifat celulare.
Ilir Shehu: “Është një treg i liberalizuar kur kompanitë “luftojnë” në treg duke shfrytëzuar kushtet që ofron ligji për liberalizimin e tyre. Referuar vlerës së tarifave ka qenë vlera gati te 600 lekë të vjetra minuti dhe sot pra ishim në top listë dhe sot jemi poshtë mesatares së listës së BE-së. Krahasuar me një vit më parë kemi një ulje totale mbi 43%. Në korrik të vitit 2009 numri i përdoruesve arrin në 3.52 milion referuar të njëjtës periudhë janë 1 milion më shumë për një vit.”
Sipas këtyre shifrave krijohet përshtypja që çdo shqiptar është abonent në një nga 3 kompanitë celulare, por realisht numri i përdoruesve është 2-3 herë më i vogël.
Në mungesë të një rregulloreje për mbartjen e numrit celular edhe kur konsumatori vendos të ndryshojë operatorin mobile, shqiptarët kanë në xhep më shumë se një kartë SIM.
Por shumë shpejt edhe në vendin tonë abonentit do t’i njihet e drejta e mbajtjes së numrit edhe në rast të kalimit nga një operator tek një tjetër.
Ky projekt shumë i rëndësishëm për krijimin e numrave personale është në fazën e fundit të miratimit nga AKEP dhe tenton të rrisë konkurrencën në tregun celular.
Një tjetër masë në liberalizimin e tregut dhe rritjes së konkurrencës është ndërmarrë tashmë me dhënien e licencës së 4 mobile.
Ilir Shehu: “Operatori i 4 ka marrë autorizimin individual, po punojmë shumë, natyrisht pika më e nxehtë është tarifa që do ti ofrojmë çmime më të lira se sa tjerët.”
Fjorald Zguro: “Ka ndonjë datë kur mund të hyjë?
Ilir Shehu: “Fillimi i vitit tjetër. Pastaj i kanë me periudha të përcaktuara për shtrirjen gjeografike apo mbulimin e popullsisë. Absolutisht prezenca e operatorit të ri në treg do të krijojë në mundësi konkurrence rrjedhimisht që të marrin sa më shumë përdorues, … është ulja e vlerës së tarifave për minutë.”
Shtimi i numrit të operatorëve të telefonisë së lëvizshme në treg do të rrisë edhe gamën e shërbimeve për konsumatorin shqiptar siç është rasti i internetit në celular. Por penetrimi i internetit në Shqipëri është ende në nivele të ulëta.
Ilir Shehu: “Varësia e internetit, penetrimit të internetit ka të bëjë dhe me numrin e kompjuterëve që kanë të shpërndarë nëpër shtëpi që unë realisht nuk disponoj një informacion të saktë të detajuar për numrin e kompjuterëve. Për mua mbetet për tu zgjidhur është që të krijohet një portë tjerët ndërkombëtare përveç Albtelecom për sjelljen e internetit, kjo kërkon shpenzime shumë të mëdha.”
Sipas Shehut, autoriteti që ai drejton po përgatit dokumentacionin e nevojshëm për t’i hapur rrugën futjes për herë të parë në Shqipëri të teknologjisë 3G për telefonat celular.
Falë kësaj teknologjie e përhapur gjerësisht në vendet e zhvilluara mundësohet navigimi në internet në celular me një shpejtësi të cilësisë maksimale.
Ilir Shehu: “Edhe për 3G unë i kam përfunduar dokumentacionet. Fatmirësisht më ka rënë në dorë një direktivë e BE-së që është direktivë e fundit që u kërkon rregullatorëve të bëjnë disa ndryshime në lidhje me brezin ku aplikohet strategjia. Fatmirësisht neve gjendemi në pozicionin që nuk e kemi aplikuar akoma. Sepse do të ishte një penalitet shumë i madh nga ana financiare për kompaninë. Ne jemi në momentin e shqyrtimit me qenë së se edhe afatet ligjore që BE ka vendosur është 6 muaj për rregullatorët, jemi në fazën e shqyrtimit dhe shumë shpejt do të arrijmë dhe ne në konkluzion të barabartë me rregullatorët e BE-së.”
Shehu shton se pas përgatitjes se kuadrit ligjor nga ky autoritet, do të jetë radha e kompanive të telefonisë së lëvizshme për të investuar në shifra që shkojnë në miliona euro për aplikimin e teknologjisë 3G edhe në Shqipëri./tvklan.alGazetar: Fjorald Zguro