Në përfundim të fazës së parë të procesit të kompensimit financiar të pronareve, drejtori i agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave Elvis Çefa tha se pranë sporteleve të agjencisë kanë mbërritur 521 aplikime. Sipas Çefës ky numër është më i vogël se një vit më parë, dhe kjo për shkak të punës më të mirë në pritjen dhe përzgjedhjen e aplikimeve.
Elvis Çefa: “Pas një muaji, dje ka përfunduar ky proces i cili u konkludua me një numër total prej 521 kërkesash për aplikim. Shifër e cila është relativisht e ulët nëse krahasohet me të njëjtën shifër të vitit të kaluar, pra ku ishin 740 subjekte që kishin aplikuar. Kemi bërë atë që unë e konsideroj shumë të rëndësishme, sqarimin paraprak të subjekteve çka është një nga faktorët që ka ndikuar në uljen e numrit të aplikimeve.”
Për kompensimin financiar të pronareve këtë vit qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 600 milionë lekësh, 100 milionë më shumë se në 2008. Sipas kreut të AKKP-së faza tjetër do të jetë shqyrtimi i aplikimeve të mbërritura pranë qarqeve përkatëse dhe më pas përzgjedhja e fituesve në bazë të datës se vendimit.
Elvis Çefa: “Ndoshta nga muaji shtator, gjysma e shtatorit ose fundi i muajt shtator ne do arrijmë të kemi listën e subjekteve fitues të këtij viti. Të gjithë subjektet që i plotësojnë kushtet për të përfituar kompensim financiar do konkurrojnë pastaj me numrin dhe datën e vendimit të tyre.” /tvklan.al
Gazetar Fjorald Zguri