Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i konsideron të paligjshme ndërprerjet kolektive të energjisë elektrike të aplikuara në masë të gjerë nga ana e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Gjatë një interviste për TV Klan, Prifti theksoi se OSSH ka për detyrë të furnizojë pa ndërprerje të gjithë konsumatorët që e paguajnë energjinë dhe se një masë e tillë ekstreme e penalizmit kolektiv nuk mund të tolerohet.

Dritan Prifti: “Ne nuk mund të tolerojmë në faktin që një konsumator që paguan energjinë elektrike të mos ta ketë atë dhe të penalizohet në mënyrë kolektive nga një komshi i tij apo nga njerëz të tjerë që nuk paguajnë në zonën ku ai shërbehet. Ditët e fundit janë bërë largime, mund të them me qindra largime nga puna të personave që abuzojnë me detyrën dhe për mua është pak e vështirë të ndahet nëse përgjegjësia është e drejtuesve kryesorë apo e drejtuesve lokal, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që kjo kompani nuk po bën punën, nuk po bën detyrën nuk po i shërben konsumatorëve, si duhet t’i shërbejë. Ne do të ndalemi më tej me këtë kompani për të parë të gjitha hapësirat kohore që ka qeveria dhe ministria për të ndërhyrë.”

Gati një vit pas privatizimit të 76 % të aksioneve të OSSH nga CEZ-it për një vlerë prej 102 milionë eurosh, Ministria e Ekonomisë ka rezerva në lidhje me reformat dhe investimet e kryera deri më tani nga kjo kompani.

Dritan Prifti: “Kompania të përshpejtojë reformat brenda vetes, me stafin sepse është pothuajse i njëjti staf që ka punuar kur ndërmarrja ishte shtetërore ka shumë njerëz që vazhdojë abuzojnë pavarësisht ndërrimit të pronës së kompanisë dhe duhet kompania gjithashtu të rris investimet në sistemin e matjes,  në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike që të ketë një shërbim, me eficensë më të lartë për konsumatorët.”

Ndërprerjet kolektive nuk janë shqetësimi i vetëm i konsumatorëve, të cilët muajt e parë të këtij viti po përballen me fatura të kripura të energjisë, jo vetëm për shkak të shtrenjtimit, por më së shumti për shkak të abuzimit me faturimin e energjisë nga OSSH./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguri