Komisioni i ligjeve ka miratuar gjate mbledhjes se te hënës projektligjin qe i hap rrugën krijimit te një fondi special për kompensimin financiar te ish-pronareve.

Ky fond do te vihet ne dispozicion te Agjencisë se Kthimit dhe Kompensimit te Pronave. Për kreun e kësaj agjencie ndryshimi ligjor garanton akumulimin e buxhetit për kompensim pavarësisht limiteve kohore.

Elvis Cefa: “Tashmë është eliminuar përfundimisht ngërçi apo frika e djegies së fondeve në fund të vitit buxhetor. Me këtë ligj fondet që nuk përdoren brenda vitit kalendarik vazhdojnë dhe akumulohen në fondin special të kompensimit të pronave dhe bën të mundur Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përdorimin në çdo kohë të këtyre fondeve pa asnjë lloj kufizimi”.

Llogaria e hapur për kompensimin financiar te subjekteve te shpronësuar do te pasurohet me fonde qe mbërrijnë si nga procesi I legalizimit, nga privatizimet apo donacionet.

Elvis Cefa: “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave legjitimohet në pasurimin e vazhdueshëm të fondit të kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuar, jo vetëm me fondet që buxheti i shtetit vë në dispozicion vit për vit, por edhe me të ardhura nga donatorë të tjerë, me të ardhura nga shitjet apo privatizimet e pronës shtetërore”.

Drafti i miratuar do t’i mundësojë qeverise kompensim financiar te subjekteve te shpronësuara edhe për sipërfaqe me te mëdha se limiti aktual prej 200 metrash katrore.

Kryetari i AKKP sqaroi se ankesat e depozituara me pare ne kohe do te kenë prioritet ne trajtimin nga kjo agjenci.

Elvis Cefa: “Tetë mijë ankesat do administrohen tani me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin e Agjencisë së Kthimeve dhe Kompensimit të Pronave dhe do fillojë menjëherë trajtimi i tyre fillestar, pra nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ai që ka depozituar i pari kërkesën ai do merret i pari në trajtim”

Propozimi për krijimin e fondit special mbërriti nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë dhe pritet jo vetëm qe te rrisë ndjeshëm buxhetin ne dispozicion te AKKP për kompensimin financiar, por edhe te përshpejtojë këtë proces./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro