Një person ka humbur jetën në autostradën Tiranë – Durrës për shkak të një aksidenti masiv. Burimet policore thonë se në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur pranë Vorës.
Viktima është 30-vjeçar me iniciale D.K., drejtues i njërës prej makinave të aksidentuara, i cili dyshohet se ka humbur jetën nga ataku kardiak. I plagosur ka mbetur edhe një person tjetër, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shkaqet e aksidentit nuk janë të qarta, por paraprakisht dyshohet që aksidenti të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë dhe mosrespektimit të distancës së sigurisë.
Në vendngjarje ndodhen forcat policore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe për të lehtësuar qarkullimin e makinave të tjera në këtë autostradë, që sot është e mbingarkuar si pasojë e fluksit të qytetarëve që largohen drejt zonave bregdetare.
Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës:
Në rrugën dytësore Vorë , drejt Doganës janë përplasur 3 mjete, si pasojë e përplasjes gjatë transportimit në spital ka ndërruar jetë drejtuesi i njërit prej mjeteve shtetasi D. K rreth 30 vjeç.
Ndërsa shtetasi G. Z drejtuesi i njërit prej mjeteve ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor ku vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes së shtetasit D. K, mund të ketë ardhur si pasojë e arrestit kardiak. /tvklan.al