Tre pasagjerët dhe shoferi i fugonit me targa të Korçës, KO 18 93, të cilët ishin nisur nga fshati Bratilë me destinacionin fshatin Moglicë, rezultojnë ende të zhdukur qe prej natës të së shtunës.
Mjeti me të cilin ata po udhëtonin sipas dëshmive të banorëve të zonës pas devijimit nga rruga përfundoi në humnerë dhe më pas në rrjedhën e lumit Devoll.
Siç duket edhe nga pamjet, në vendin e ngjarjes u gjet një litar ndërsa fugoni dhe katër persona që gjendeshin në të: L.B 38 vjeç, P.A 20 vjeç, B.S, 18 vjeç dhe E.S, 32 vjeç, të gjithë me banim në fshatin Bratilë, të komunës Kodovjat të Gramshit, rezultojnë të zhdukur.
Për gjetjen e tyre janë angazhuar forcat e policisë, ato zjarrfikëse, trupat RENEA dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme.
Kërkimet kanë nisur nga Mollgrabova, vendi ku ndodhi aksidenti dhe më pas, përgjatë rrjedhës së lumit Devoll.
Dyshimet janë se katër persona dhe mjeti janë rrëmbyer nga rrjedha e fortë e lumit, thellësia e të cilit në disa vende arrin në gjashtë metra.
Shkak i aksidentit mendohet të jetë bërë pakujdesia e drejtuesit të mjetit, i cili mësohet se para udhëtimit kishte konsumuar alkool bashkë me personat e tjerë në një nga lokalet e fshatit./tvklan.al