Aksidentet rrugore përgjakin sërish rrugët e vendit duke u marrë jetën 2 personave dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Në orët e vona të pasdites, një 50 vjeçar u përplas për vdekje nga një makinë në rrugën e ish kënetës në qytetin e Durrësit.
Ai po udhëtonte me motor ndërsa është përplasur nga një automjet i tipit Benz me targa 93 29 B cili drejtohej nga Mariglen Sidi, 21 vjeç.
Përplasja ka ndodhur pasi motoçikleta i ka prerë rrugën me shpejtësi makinës. Policia ka ndaluar Sidin ndërsa po kryen hetimet në vendngjarje.
Më herët, një aksident i rëndë u regjistrua në degëzimin e autostradës Milot-Rrëshen ku u përplasën dy automjete me targa të huaja.
Aksidenti ka çuar në plagosjen e Festim Gjoka 34 vjeç bashkëshortja e tij Lazime Gjoka 30 vjeç, dhe nëna e tij Hana Gjoka 64 vjeçe si dhe Viktor Arapit 34 vjeç.
Të plagosurit janë shtruar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesit e makinave ishin emigrantë dhe nuk ishin ambientuar me rrugën. Sipas policisë ka qenë makina me targa greke, që i ka prere rrugën makinës tjetër.
Paradite, një tjetër aksident i mori jetën një 60-vjeçar në fshatin Frakull te Fierit. Ai u përplas nga dy të rinj që po udhëtonin me një motoçikletë teksa po kalonte në krahun tjetër të rrugës, sapo kishte zbritur nga një fugon.
Në këtë aksident u plagosen edhe dy të rinjtë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al