Shifrat tragjike të viktimave shënuar dy muajt e fundit, vetëm nga aksidentet rrugore, kanë bërë që drejtues të lartë të qarkullimit në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së shtetit të analizojnë shkaqet dhe të hartojnë një strategji të re pune për parandalimin e tyre.
Shefi i qarkullimit rrugor dhe sigurisë, Shkëlzen Aliaj, deklaron për TV Klan se në fushën e sigurisë në rrugë janë konstatuar deficite të mëdha.
Çfarë do të thotë se rrugët e të gjithë territorit shqiptar nuk kanë vëmendjen e të gjithë palëve të interesit në rritjen e elementeve të sigurisë rrugore.
Shkëlzen Aliaj: “Na rezulton se kemi deficenca të theksuara mjaftueshëm, … me forma të ndërhyrjes me pajisjet në akset rrugore qoftë komunale, qoftë bashkiake dhe qoftë kombëtare me elementet e sigurisë rrugore si dhe me infrastrukturën e nevojshme në funksion të rritjes së sigurisë rrugore”.
Duke ju referuar pikave apo njollave të zeza në trafik, që kanë çuar në rritjen e numrit të aksidenteve këto dy muaj, Aliaj argumenton shtimin dhe numrin e madhe të emigrantëve, si dhe mënyrën e sjelljes së përdoruesit të rrugës jashtë çdo norme duke çuar në papërgjegjshmëri të larte që pjell vetëm viktima.
Shkëlzen Aliaj: “Këto kanë ardhur si rezultat i keqshfrytëzimit të sistemit rrugor, kanë ardh si rezultat i pijes alkoolike, kanë ardh si rezultat i tejkalimit të normave të shpejtësisë, kanë ardh dhe si rezultat i mos ndërgjegjësimit të të gjitha shtresave shoqërore për të bërë një bashkëpunim të ngushtë me shërbimin e policisë rrugore dhe për ta konkretizuar këtë po ju sjell ndër mend aksidentin me pasoja fatale aksin Tiranë-Durrës. Të marrim 5 vetë menjëherë, të futen në sens të kundërt dhe mos të marrësh asnjë telefonatë as nga një vend ku është bërë dasma apo as nga shtresa të tjera. Kështu që është një difekt, deficencë shumë e madhe dhe kjo tregon një mungesë kulture të theksuar trafiku rrugor. Sot i gjithë shërbimi i policisë rrugore punon me kapacitete maksimale në rrugë, por kjo nuk do thotë që të kesh për çdo lloj mjeti, të kesh edhe një shërbim policie që ta monitorojë”.
Por nga ana tjetër Aliaj deklaron se ka një rënie të theksuar të numrit të telefonatave nga ana e komunitetit për informimin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugore nga ana e drejtuesve.
Shkëlzen Aliaj: “Ndofta mos ambientimi me këtë lloj sistemi apo ardhja në vendin tonë dhe thonë që gjithçka është e lirë. Kjo nuk e balancon vetëm shërbimin e policisë rrugore, se të marrim anën e penaliteteve dhe fushën e sigurisë, ndofta jemi populli që kemi pagu koston më të lartë”.
Sipas tij autostrada e vetme e përuruar që prej qershorit, ajo e Kalimashit dhe pse ende me punime nuk ka shkaktuar asnjë rast aksidenti, pasi rruga është ndërtuar me të gjitha elementet e sigurisë.
Sot në statistikat e policisë, numri i viktimave mbetet i pallogaritshëm pasi ai ndryshon nga dita në ditë. Aliaj bën apel si mënyra më e mirë për të ulur numrin e viktimave në rrugët tona.
Shkëlzen Aliaj: “Për të përmirësuar ndjeshëm koeficientin e sigurisë rrugore, duhet një gërshetim shumë i ngushtë i veprimeve të të gjitha palëve të interesave, prodhuesve të sistemit, .. bashkive, komunave, drejtorive Arsimore, shërbimi i policisë rrugore. Pra i gjithë ky sistem kompleksi kërkon një ndërhyrje të integruar, një strategji të … kur të gjitha palët e interesit të marrin përgjegjësitë që u takojnë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani