Gjatë kontrolleve ndëshkohen drejtues për gara shpejtësie, ndotje ambienti, dhe xhamat e zinj
Një plan masash ka nisur nga Policia rrugore me qëllim zbulimin e drejtueseve të mjeteve që kryejnë shkelje të rënda të qarkullimit.
Nga kontrollet e ditëve të fundit që do kryhen dhe gjatë fundjavës janë ndëshkuar, 500 drejtues mjetesh të cilët kanë kryer shkelje nga më të ndryshmet. Në Tiranë u ndëshkuan 364 shoferë me shumën 15 deri në 40 mijë leke, pasi u konstatuan pa rripin e sigurimit, duke përdorur celularin apo duke kryer gara shpejtësie.
Gjithashtu u pezulluan 171 patenta, si dhe u bllokuan 18 targa të huaja të skaduara dhe 11 automjete luksoze.
Në Vlorë policia e fokusoi aksionin tek xhamat e zinj. Në total u ndëshkuan 102 shoferë për shkelje të ndryshme, mes tyre 18 për shkak se kanë riveshur xhamat apo kanë errësuar dy deri në trefish më shumë se certifikata e lëshuar për errësimin e xhamave.
Në Durrës policia gjobiti 31 drejtues mjetesh, 19 prej tyre me gjobë nga 5-10 mijë leke, pasi u pikasën duke ndotur mjedisin. Kjo masë u shoqërua në disa raste edhe me tërheqjen e lejes së qarkullimit. Këto automjete duhet të kryejnë kontroll teknik jashtë radhe pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Durrës.
Ndërsa në Kukës, blutë shoqëruan në komisariat dy drejtues mjetesh të cilët bënin drift, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës. Ata u ndëshkuan dhe me masë administrative 20 dhe 60 mijë lekë.
/Klan News