Kjo është një pjesë e zbuluar e tubacionit kryesor në Qesarak që çon ujin e pijshëm nga Bovilla e Vjetër në depot e trajtimit të ujit në zonën e ish-Kinostudios duke mundësuar furnizimin me ujë të pijshëm të një pjese të mirë të kryeqytetit madje dhe qendrën spitalore “Nënë Tereza”.

Ndërsa  këto janë lidhjet e paligjshme të bëra ndër vite nga banorët e kësaj zone. Gjatë aksionit të ndërmarrë sot nga punonjësit e ujësjellës kanalizimeve të Tiranës vetëm në këtë gjatësi prej  rreth 10 metrash janë zbuluar mese 30 lidhje të paligjshme të cilat çdo ditë vjedhin rreth 5% të sasisë të ujit që kalon aty.

Sahit Dollapi: ”Strukturat e ujësjellës kanalizimeve me çfarëdo lloj çmimi dhe kosto do të punojnë në mënyrë të pandërprerë për prerjen e lidhjeve të paligjshme të të gjithë konsumatorëve, të gjithë debitorëve dhe për mbajtjen e cilësisë dhe ruajtjen e cilësisë së ujit në çdo vend. Ne do të inspektojmë në të gjitha zonat ku kalojnë linjat e transmetimit. Qoftë në zonat e Babrru- Paskuqanit, qoftë në zonat e tjera që kanë të bëjnë nga Laknasi-Bërxulli në drejtim të Kodër Kamzës, qoftë dhe në linjat e tjera nga Uzina e Traktorit në drejtim të depove të Tiranës.”

Ky nuk është aksioni i parë në ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në këtë pjesë të rrjetit kryesor të ujit të pijshëm siç duket dhe nga shenjat e lëna mbi tubacion.

Gjithsesi drejtori i ujësjellësit të Tiranës është i vendosur për vazhdimin e aksionit në normalizimin e situatës. Dollapi thekson se gjatë muajve të fundit janë çuar në prokurori me dhjetëra kundravajtës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro