Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Tradita e pastrimit me aksion duket se ka zbritur dhe në qytetin e Beratit. Kështu një aksion sensibilizues është kryer për rreth mureve të kalasë së lashtë të Beratit. Në këtë nismë merrnin pjesë të rinj shkollarë, por dhe njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme.

Slogani i këtij aksioni ishte “Për një kala të pastër, për një Berat të pastër”. Ndërgjegjësuesit e këtij aksioni ishin bashkia e qytetit, lëvizja Mjaft, CO-Plan, ku spikati pjesëmarrja e nxënësve të shkollës “Bab Dudë Karbunara”.

Fadil Nasufi: “Gjej rastin nëpërmjet ditës së sotme, t’i bëjë thirrje të gjithë komunitetit, secili të mbajë pastër shtëpinë e tij, secili të mbajë pastër rrugicën, lagjen dhe më tej gjithë qytetin”.

Është hera e parë në këtë qytet, që pas shumë vitesh kryhet një aksion i tillë, i cili do të vazhdojë për 9 javë rresht dhe në zona të tjera të qytetit të vjetër të Beratit./tvklan.al