Qytetit të gurtë të Gjirokastrës, i janë rikthyer vlerat monumentale të shtëpive dhe ndërtimeve karakteristike. Falë një aksioni të madh restaurues të ndërmarrë me nismën e ministrisë së Kulturës dhe mbështetjen UNESCO-s është bërë e mundur rikthimi e Gjirokastrës në identitet i të paktën 7 shtëpive të shpallura monument kulture si Hani i Zagories, shtëpia e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, gjuhëtarit Eqerem Çabej, si dhe disa banesave të tjera.
Në qytetin jugor ka zbritur vetë ministri i Kulturës Ylli Pango, i cili ka përuruar përfundimin e restaurimit të këtyre monumenteve ku vetëm për Hanin e Zagories janë financuar 2.4 milion lekë. I shoqëruar nga deputeti demokrat Fatos Beja, numri një i ministrisë së Kulturës ka bërë publik projektin për rikthimin e Gjirokastrës në identitet.
Ylli Pango: “Jo vetëm inaugurojmë këtë vepër do të thosha të mrekullueshme të restauruar mjeshtërisht, po njëkohësisht do të fillojmë punën e madhe për gjithë qendrën historike të Gjirokastrës, për Qafën e Pazarit, për një seri shtëpiash që i përmendi drejtori i DRMK-së zoti Drrasa, për të përfunduar pastaj lart në kala.”
Fatos Beja: “Këto shtëpi kanë vlera të jashtëzakonshme monumentale, zhvillimi i infrastrukturës rrugore, zhvillimi i qytetit do ta bëjmë padyshim Gjirokastrën një nga pikat më të vizituara në vitet e ardhshme.”
Restaurimit do t’i nënshtrohen në fazën e dytë Qafa e Pazarit, e cila ruan vlera të rralla historike dhe kulturore. Ky investim do të bëhet i mundur sajë fondit prej 1.2 milion dollarësh të përcaktuar nga UNESCO. Ministri Pango ka siguruar se ndërhyrje të tjera restauruese do të bëhen edhe në kalanë e qytetit, parkun antik të Antigonës, teatrin e Sofratikës, Teqenë e Melanit, si dhe të disa urave të vjetra si ajo e Glinës./tvklan.al