Rezoluta e grupit kuvendor demokrat për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian kaloi për shqyrtim në Komisionin e Jashtëm.

Ligjvënësit opozitarë munguan në këtë mbledhje, gjë që u komentua me keqardhje nga kryetari i komisionit, Fatos Beja, nisur nga rëndësia që ka procesi për vendin.

Fatos Beja: “Dua t’ju informoj që kemi njoftuar të gjithë deputetët socialistë. Do të ishte mirë që kjo të jetë një rezolutë, ku të jenë të gjitha forcat politike të parlamentit shqiptar, të shprehin botërisht mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave, të nxisim nëpërmjet rezolutës hapat e mëtejshëm nga institucionet përkatëse evropiane, mbi bazën e realizimit të të gjitha detyrimeve që ka shteti shqiptar.  Për fat të keq, sot nuk i kemi kolegët socialistë. Unë uroj që të jenë të pranishëm në seancë parlamentare, në mënyrë që vendimi të jetë i përbashkët.”

Opozita mungoi edhe në komisionin parlamentar të integrimit, ku u shqyrtua gjithashtu rezoluta për vizat.

Aldo Bumçi: “Ne prisnim që deputetët e opozitës, të cilët kanë ardhur në kuvend, kanë depozituar dhe emrat për komisionet përkatëse të vijnë në komisionin e integrimit, të merrni kryesinë e këtij komisioni, siç është rënë dakord me opozitën dhe të bëheshin pjesë e kësaj rezolute. Pavarësisht nga ky fakt që nuk erdhi sot në shqyrtimin e rezolutës, ne i bëjmë thirrjen, ne e ftojmë opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do miratohet rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave. Jam i bindur që duke bërë këtë, duke ndërmarrë këtë akt ditën e enjte nuk do bëjë asgjë tjetër, përveçse do përmbushë vullnetin e dhjetëra mijëra anëtarëve të Partisë Socialiste e dhjetëra mijëra votuesve të Partisë Socialiste”.

Ky është drafti që do t’i ofrohet kuvendit për miratim ditën e enjte, bashkëngjitur disa ndryshime, kryesisht të natyrës teknike, që iu bënë gjatë shqyrtimit në komisione.

Rezoluta vlerëson rolin e parlamentit evropian dhe këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, duke parë këtë si një mundësi për forcim të lidhjeve njerëzore ekonomike apo edhe kulturore.

Dokumenti parashtron kërkesën drejtuar në formën e një apeli komisionit evropian të mundësojë propozimin legjislativ për liberalizimin e vizave në fillim të pranverës 2010, gjë që do t’i hapte rrugë, si kundër citohet, marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave deri në 1 Korrik të këtij viti.

Por, ajo çfarë do t’i mbetet seancës për diskutim ndër të tjera është edhe paragrafi që flet për mbështetje të këtij dokumenti nga të gjitha forcat politike, një çështje që mbetet për t’u parë nisur nga fakti që opozita shënoi bojkotin e parë ndaj rezolutës, me mungesën në komisionet parlamentare të integrimit dhe politikës së jashtme./tvklan.al