Shkencëtarët besojnë se mund të kenë zbuluar arsyen

Sipas shkencëtarëve që merren me mbledhjen e të dhënave për të kuptuar ngritjen e nivelit të detit, janë zbuluar kanale të thella nën akullnajën Thwaites të Antarktikut dhe kjo mund të ndikojë në shkrirjen më të shpejtë të pjesës së poshtme të akullit.

Gjetjet të cilat janë botuar në revistën Cryosphere tregojnë se shtrati i oqeanit është më i thellë nga sa mendohej më parë, me kanale më të thella, të cilat çojnë drejt takimit të akullit me tokën dhe bëjnë që akulli të shkrijë në mënyrë të përshpejtuar.

Akulli që kullohet në detin Amundsen të Antarktidës Perëndimore nga akullnaja gjigante Thwaites dhe të tjera më të vogla rreth saj, është arsyeja e rritjes së nivelit të detit rreth 4%.

Madhësia e këtyre akullnajave mund të krahasohet me madhësinë e Britanisë së Madhe ose shtetit amerikan të Florida-së dhe gjatë tre dekadave të fundit, shkalla e humbjes së akullit nga këto akullnaja është rritur 5 herë më shumë.

Nëse Thwaites do të vazhdojë të shkrijë në këtë mënyrë derisa të mos ekzistojë fare, kjo do të çonte në një rritje të nivelit të detit deri në 64 centimetra.

Shkencëtarët nga International Thwaites Glacier Cooperation (ITGC) po përpiqen të zbulojnë se sa shpejt mund të ndodhë shkrirja e plotë dhe po vazhdojnë të mbledhin të dhëna duke fluturuar mbi akullnajën me një avion binjak vidër të Antarktik Survey (BAS) në Britani, si dhe duke përcjellë sipërfaqen e detit nga programi i SHBA-së Akullthyesi Antarktik të RV,  Nathaniel B. Palmer.

Ata thonë se zgavrat e fshehura poshtë akullit ka të ngjarë të jenë rruga përmes së cilës kalon uji i ngrohtë i oqeanit.

Dr. Tom Jordan, një aero-gjeofizikant në BAS i cili udhëhoqi sondazhin ajror, tha për CNN se akullnaja Thwaites është një nga akullnajat më domethënëse në Antarktidën Perëndimore. Ai shtoi se duke u nisur nga madhësia që ka, është shqetësues fakti që po mund të shohim se si ajo po ndryshon: “Teorikisht, këtë mund ta quajmë si një paqëndrueshmëri të shtresës detare sepse nëse një akullnajë fillon të shkrijë, është një proces i cili thjesht do të vazhdojë, nuk ndalon më”.

Jordan tha se gjatë kërkimeve të tyre u morën me të dhënat nga kanalet poshtë akullit, të cilat mund të arrinin një thellësi deri në 800 metra, si dhe analizuan se si mund të reagojë shtresa e akullit me kalimin e kohës.

Duke e quajtur një hap shumë të rëndësishëm gjetjen e këtyre kanaleve, ai tha se tani e tutje do të jetë shumë më e lehtë për të përcaktuar saktësisht sasinë e ngritjes së nivelit të detit.

Pas këtij zbulimi, gjeo-inxhinieria kishte sugjeruar që të bllokohen këto kanale, por marrë parasysh se po flasim për një zonë shumë të largët, logjikisht kjo ide nuk mund të realizohet. Si zgjidhje më e thjeshtë shihet trajtimi më serioz i ndryshimeve klimatike.

Jordan deklaroi se “sapo shkencëtarët të demonstrojnë rritjen e pritur të nivelit të detit në lidhje me Antarktidën Perëndimore, ne do të jemi në gjendje t’ua themi qeverive dhe politikëbërësve, se çfarë do të ndodhë… Në fakt do të kemi një vlerësim të duhur, do të kemi më shumë prova që t’ua japim kur të bëjnë thirrje për zbutjen e ndryshimeve klimatike”.

Ekipi po ashtu mblodhi të dhëna edhe nga shkrirja e shpejtë e akullnajave Dotson dhe Crosson që ndodhi në muajt Janar-Mars të vitit 2019.

Kjo u dha mundësinë që të vëzhgojnë më shumë se 2,000 kilometra katrorë të detit.

Zona e studiuar u shkëput nga Thwaites që në vitin 2002, por ishte fshehur nën pjesën lundruese të akullit dhe trashësia që kishte e bënte të pamundur studimin e saj./tvklan.al